Analisti politik Belgzim Kamberi vlerëson për Kosovo Online se në këtë moment nuk mund të pritet ndonjë përparim i madh në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, as në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë në shkurt, si dhe për shkak të faktit se ende nuk ka përfunduar kalimi i pushtetit në SHBA dhe në institucionet e Bashkimit Europian pas zgjedhjeve të brendshme në BE.
„Është e vështirë të pritet ndonjë rezultat i madh. Takimi i 17 dhjetorit do të jetë një vazhdim i një dialogu protokollar. Dialogu ka mbetur në Planin e Implementimit, ose në planin sekuencial. Prishtina kërkon që Beogradi të njohë simbolet e Kosovës dhe të ketë përparim në përfshirjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa Beogradi insiston që fillimisht dekretin për formimin e ZSO-së t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Në këtë situatë dhe me këtë taktikë nuk mund të pritet ndonjë përparim i madh“, thotë Kamberi.
Ai nuk beson se deri në fund të vitit mund të ketë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vučićit.
„Jo vetëm që kryeministri Kurti nuk do të ishte i gatshëm të takohej me presidentin Vučić para zgjedhjeve, por është e vështirë edhe për presidentin Vučić të gjejë kohë për t’u takuar me kryeministrin Kurti për shkak të rrethanave dhe ngjarjeve të fundit në Beograd dhe tragjedisë në Novi Sad“, shton Kamberi.