Zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, ka folur lidhur me sekuestrimin e armëve në Zveçan. Ai tha se ende nuk mund të zbulohet identiteti i personit të lidhur me këto armë, pasi ai është i dyshuar në lidhje me sulmin në Banjskë.
“Besojmë se këto armë janë të lidhura me këtë person,” tha Elshani, pa sqaruar nëse armët u gjetën në pronën e tij apo në zona ku ai vepronte.
Sipas tij, armët u gjetën të varrosura nën tokë, bazuar në informacione të sakta që policia kishte marrë. Fillimisht u zbulua një fuçi me uniforma, armë automatike dhe municione. Pas kësaj, njësia speciale për çminim zbuloi edhe dy fuçi të tjera dhe një tub plastik me një armë automatike brenda.
Të gjitha armët u sekuestruan dhe u dërguan në stacionin policor. Elshani theksoi se nuk është hera e parë që policia zbulon armë të varrosura në veri dhe siguroi se policia vepron kurdo që merr informacione të tilla. Ai shtoi se situata e sigurisë në veri mbetet e qetë dhe se nuk ka zona ku Policia e Kosovës nuk ndërhyn.