Erona Bajrami, 16-vjeçare, nga fshati Reçak i komunës së Shtimes, u gjet e vdekur mbrëmjen e 19 marsit në oborrin e një ndërtese në Shtime. Vdekja e saj vazhdon të mbetet misterioze. Gazeta Express pasditen e së martës ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Babi i saj thotë se nuk i di arsyet e vdekjes së vajzës. Ndërkaq, Policia për këtë rast thonë se ende nuk ka ndonjë person të dyshuar. Erona e njomë varroset sot në varrezat e fshatit në Reçak
Familja e priti për ta ngrënë darkën. Por pjata mbeti e zbrazët në vendin ku zakonisht ulej Erona Bajrami, 16 vjeçe nga fshati Reçak i komunës së Shtimes. Ajo u gjet e vdekur në mbrëmjen e 19 marsit në një hapësirë të një objekti banesor në qytetin e Shtimes.
Erona Bajrami, si çdo ditë tjetër të javës, edhe të martën ishte nisur për në shkollë. 16-vjeçja kishte nisur mësimin në shkollën e mesme “Naim Frashëri”, të komunës së Shtimes. Në shkollë kishte qëndruar deri në orën e tretë të procesit mësimor. Pas orës së tretë Erona u largua e vetme nga klasa, duke e lënë edhe çantën në karrigen ku ajo ulej.
Babai i Erones tregon ngjarjen
Express sot gjatë ditës ka biseduar edhe me të vetmin dëshmitar që e kishte gjetur Eronën e shtrirë në hapësirat e një objekti banesor në qytetin e Shtimes. Roja i objektit banesor, Rizah Islami, ka thënë se vajzën e ka gjetur të shtrirë dhe me shenja jete në oborrin e objektit rreth orës 19:30 të mbrëmjes që lamë pas.
E për këtë rast, Policia rajonale nga rajoni i Ferizajt po thotë se janë duke i vazhduar hetimet. Majori Basri Shabani i tha të martën Gazetës se ende nuk dihen shkaqet e kësaj vdekjeje. Rasti po cilësohet si i dyshimtë. /GazetaExpress/