Ballina AKTUALE Hoxhë Valdet Kamberi: Në Luginë ne kemi hafëz edhe më të mirë...

Hoxhë Valdet Kamberi: Në Luginë ne kemi hafëz edhe më të mirë se ky

1631
0
SHPËRNDAJE

Në Luginën tonë këtyre ditëve të bekuara të Ramazanit po qëndron një hafiz nga Turqia, i dërguar nga Dijaneti, ku nëpër xhamitë tona të Preshevës po e fal namazin e teravive.
Ky dhe të tjerë janë të mirëseardhur si çdo hafiz dhe mysafir tjetër, por ne jemi për një hafiz që lexon siç ka zbritur Kurani në gjuhën arabe, jo një hafiz me “ky-ja e ty-ja ” etj., lexim që i takon së kaluarës. E duam një hafiz njëmend hafiz i Turqisë, që me zërin dhe leximin e tij i qetëson zemrat tona.
Lugina jonë historikisht ka pasur hafiza të Kuranit hoxhallarë dhe hafiza johoxhallarë, bile edhe shumë hoxhallarë që kanë lexim të drejtë dhe të mrekullueshëm të Kuranit. Unë personalisht nuk do të kisha pranuar një hafiz me një lexim të tillë po të isha nikoqir, nuk do ta pranoja që Lugina jone e shtrenjtë të konsiderohet në fusnotë në këtë aspekt. Gjithashtu nuk kisha dashur të krijohet përshtypje dhe të mendohet se ne mjaftohemi me këtë kategori të hafizave dhe se në Luginë nuk dinë të lexojnë Kuran apo nuk marrin vesh në lexim të Kuranit. Pranimi i një hafizi si ky, në njëfarë mënyre është edhe humbje edhe mosmirënjohje për punën e hoxhallarëve tanë në rrafshin e leximit dhe mësimit të Kuranit, të atyre që kanë vdekur dhe të këtyre që janë aktivë në këtë fushë. Personalisht në ditën që hafizi ishte në fshatin tonë, Corroticë, shkova me shumë gëzim që të freskohem me leximin dhe zërin e lexuesit të Turqisë, por sinqerisht u zhgënjeva jo vetëm unë, por janë zhgënjyer edhe disa hoxhallarë dhe një pjesë e madhe e xhematit të Luginës me të cilët kam pasur rastin të flas në lidhje me këtë temë.
Më ka pëlqyer një fjalë e hoxhë hafiz Orhan Ademit dhe me këtë po e përfundoj, i cili një herë në një bisedë më pati thënë: “Unë ndoshta nuk e di mirë gjuhën arabe, por e di se cili po e flet mirë.”