Ballina LAJME E FUNDIT BOTË Irani ia kthen përgjigjen SHBA-së: Nuk mund të vendosni për ne

Irani ia kthen përgjigjen SHBA-së: Nuk mund të vendosni për ne

770
0
SHPËRNDAJE

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, shtroi pyetjen se kush janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të vendosin për Iranin dhe botën, duke reaguar ndaj kërcënimeve më të reja për sanksionet më të fuqishme në histori që më herët i bëri të ditur sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të gjitha vendet e botës dëshirojnë pavarësi në vendimet e miratuara të tyre. Amerikanët shumë herë ushtrojnë presion në disa vende duke imponuar rendin e tyre ditor, por logjika nuk e pranon tentimin që ata të vendosin në emër të mbarë botës”, tha Rouhani.

Ai tha se SHBA-ja nuk mund të flasin në emër të mbarë botës.
“Kush jeni ju të vendosni për Iranin dhe botën? Koha për deklarata të tilla ka kaluar”, porositi Rouhani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo i bëri thirrje Iranit që të pushojë me prodhimin e armëve bërthamore dhe të heqë dorë nga mbështetja e “grupeve terroriste” në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se në të kundërtën Teheranit mund t’i vendosen “sanksionet më të ashpra në histori”.

Ai theksoi se nevojitet që të arrihet një marrëveshje e re bërthamore me Iranin, duke propozuar kushtin prej 12 pikave që do të gjendeshin në marrëveshjen e re.
Mes tjerash, Pompeo propozoi që Irani ta lajmërojë Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) për aktivitetet e tanishme dhe të mëhershme lidhur me prodhimin e armëve bërthamore. Njëra nga pikat ka të bëjë edhe me nevojën e dhënies fund të prodhimit të uraniumit, përfshirë edhe reaktorët e rëndë ujorë.

Pompeo i propozoi Iranit, siç ishte rasti në marrëveshjen e mëhershme, që të lejojë inspektorët e IAEA-së që të kenë qasje në centralet dhe të heqin dorë nga raketat balistike. Në një nga pikat theksohet se Teherani duhet të pushojë me kërcënimet ndaj vendeve fqinje, përfshirë edhe Izraelin.

Presidenti amerikan Donald Trump më 8 maj deklaroi se SHBA-ja tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke përmendur se sërish do të vendosë sanksione ndaj Iranit që u pezulluan në vitin 2015.

Marrëveshja mes Iranit dhe 5+1 (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë) kufizon programin iranian për pasurimin e iraniumit me qëllim që të mos mund të përdorin për zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa si kthim Iranit i zbuten sanksionet ndërkombëtare, prej të cilave shumica iu hoqën në janar të vitit 2016.