Nje pjesë e studentëve të UP-së i kryejnë provimet duke kopjuar. Këtë e dëshmojnë edhe anketat e ndryshme të cilat japin shifra alarmante lidhur me këtë fenomen. Preportr ka monitoruar disa provime dhe ka parë nga afër metodat të cilat përdoren nga ana e studentëve për të mashtruar. Ndër arsyet që nxitë kopjimin del të jetë edhe mënyra e vlerësimit nga ana e profesorëve.
Kopjimi është problem i madh në nivelin e lartë arsimor të Kosovës dhe si i tillë mund të ndikojë në rënien e cilësisë së studimeve. Kjo dukuri vazhdon të jetë e pranishme në Universitetin e Prishtinës. Studentët përdorin metoda të ndryshme për të kopjuar. Kjo përveç që tregon për mungesën e kritereve dhe monitorimin jo të rreptë nga profesorët, në anën tjetër flet edhe për mungesën e përkushtimit për dije të studentëve.
Profesorët dhe dekanët thonë se dukuria e kopjimit është e pranishme në fakultetet e UP-së edhe përkundër masave që thonë se i kanë ndërmarrë për ta parandaluar këtë dukuri.
Sipas një anketimi të kryer me 1500 studentë të UP-së nga instituti “EdGuard”, rezulton se kopjimi vazhdon të jetë i pranishëm në UP. Të pyetur se ‘sa prej studentëve në fakultetin/departamentin tuaj mendoni se e përdorin kopjimin gjatë provimeve’, 27.14 % thonë një numër i madh i studentëve, 26.73 % thonë rreth gjysma e studentëve, 36.60 % thonë një numër i vogël i studentëve, 3.47 % thonë asnjë student, 1.50 % thonë të gjithë studentët dhe 4.56 % thonë se nuk e dinë.
Edhe sipas një raporti të publikuar në nëntor të vitit 2015 nga organizata D4D, kopjimi konsiderohet problem i madh në sistemin arsimor të Kosovës. Sipas raportit në fjalë, nga 625 studentët e anketuar, 79% konfirmojnë se kopjimi është në masë të madhe i pranishëm në Universitetin e Prishtinës, ndërsa 73% pajtohen që studentët bëjnë përpjekje të veçanta në përgatitjen për të kopjuar.
Kopjimi tolerohet
Studentët kanë një bashkëpunim të mirë sa i përket përgatitjes për kopjim dhe shkëmbimit të testeve. Në rrjete sociale ka grupe të shumta zakonisht të mbyllura në Facebook, ku studentët publikojnë teste me pyetje dhe përgjigje dhe materiale për provime nga fakultete të ndryshme të UP-së, që janë marrë ose janë fotografuar nga studentët gjatë mbajtjes së provimeve. Gazetarët e Preportr janë bërë anëtarë të këtyre grupeve të mbyllura në Facebook për të parë se si publikohen materialet dhe testet.
“Mjafton me msu komplet qat skripten qe e murrem javen e kaluar ne Teori te Mesimit dhe 9she e garantume. Krejt testet e formulume prej qasaj skripte, 5 teste i kam pytjet perafersisht te njejta. Mos u lodhni me prek liber kolegu mendon per ju”, është njëri nga lajmërimet në faqen e Facebookut – Fakulteti i Edukimit “Programi: Biologji-Kimi”, thuhet në njërin nga njoftimet rutinore në këtë grup.
Ekipi i Preportr ka vizituar disa nga fakultetet e UP-së në ditët kur mbaheshin provimet. Gjatë këtij monitorimi ka vërejtur se në salla të mëdha ka parapërgatitje dhe tendenca për të kopjuar. Në amfiteatrin e Fakultetit Juridik, janë incizuar disa studentë derisa shkruanin përgjigjet e testeve apo definicione të ndryshme në bankat e sallës, në mënyrë që të kopjojnë më lehtë.
Përreth kampusit të UP-së gjenden me dhjetëra skriptore, të cilat sigurojnë shembuj të testeve dhe pyetjeve të provimit për lëndë të ndryshme, të cilat madje i vendosin në format të përshtatshëm për kopjim. Preportr ka vizituar disa nga dyqanet e fotokopjeve, apo siç njihen ndryshe skriptore, dhe duke u paraqitur si studentë kanë kërkuar materiale për lëndë të ndryshme. Gjetja e tyre ishte mjaftë e thjeshtë, secili dyqan i fotokopjeve kishte së paku nga një folder të madh me materiale të shumta për secilin drejtim.
Në foldera të tillë gjendeshin materiale për lëndë të ndryshme, që nga skriptat, sllajde, përmbledhje të ndryshme, recensione të kapitujve apo të librave, e deri tek testet. Këto të fundit ishin ndër më të kërkuarat. Kështu që ne kërkuam disa teste për lëndët e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik dhe kërkuam që ato t’i merrnim në një format të vogël dhe aq sa i zinte dora, ashtu siç bënin shumica e studentëve të cilit po blinin në skriptore. Kjo praktikë ishte bërë tashmë përditshmëri dhe normalitet për ata që punonin në lokalet e fotokopjeve.
“Sa dëshiron ta bëj testin e vogël, zakonisht të gjithë studentët i bëjnë 40-sh dhe mund të lexohet qartë pa problem”, na tha punëtorja e një skriptoreje, e cila nuk përtoi që edhe të na i presë me gërshërë vetëm hapësirën ku janë përgjigjet e pyetjeve, ndërsa kostoja e një testi të tillë ishte rreth 20-30 centë.
Gjetja dhe fotokopjimi i testeve është i dëshmuar edhe me video, ku mund të shihen detaje se si funksionon kjo metodë e parapërgatitjes për kopjim.
Studentët në masë të madhe e përdorin teknologjinë për të kopjuar. Mjete të tilla si kufjet digjitale që lidhen me telefona të mençur janë një ndër metodat më të sofistikuara të kopjimit.
Preportr ka gjetur se në shumë web-faqe të marketingut ka reklama për shitjen apo dhënien me qira të kësaj teknologjie. Çmimi për blerjen e këtyre pajisjeve varion nga 20 deri në 80 euro.
“Shiten degjueset per provim, jane shume te vogla hyjne ne kanal te veshit dhe nuk ka asnje shanse qe te verehen. Degjohen shume mire. Punojne edhe me Android edhe me iOS”, thuhet në njërin nga njoftimet e shumta që gjenden në internet.
Një rast shumë kreativ i kopjimit është bërë i ditur nga profesoresha e Fakultetit të Arkitekturës , Eliza Hoxha. Ajo ka publikuar në profilin e saj në facebook një foto ku shihet një shishe e ujit e një brendi kosovar ku studentët kanë krijuar një ambalazh të njejtë të shishes dhe në pjesën ku zakonisht shkruan përmbajtja e ujit janë shkruar definicione nga një lëndë e caktuar mësimi.
Duke marrë parasysh praninë e dukurisë së kopjimit nga studentët, dekanati i Fakultetit Juridik ka marrë një vendim për parandalimin e kopjimit. Sipas këtij vendimi, që ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2016, kur studentët hyjnë në provim u lejohet vetëm stilolapsi dhe në ndonjë lëndë mund t’u lejohet ligji përkatës me rekomandimin e profesorit.
“Në qoftë se studentit i gjendet telefoni me rastin e mbajtjes së provimeve në salla, dënohet me masë disiplinore me 1 vit përjashtim nga fakulteti”, thuhet në pikën 2 të këtij vendimi. Ndërsa në pikën 3 thuhet se nëse studentit i gjendet kopje e lëndës mësimore me rastin e mbajtjes së provimeve në salla “dënohet prej 6 muajve deri 1 vit si masë disiplinore nga fakulteti”.
Në lidhje me dukurinë e kopjimit, dekani i Fakultetit Juridik Haxhi Gashi, ka thënë për Preportr se tendenca e kopjimeve është dukuri që e dëmton seriozisht procesin mësimorë dhe cilësinë e mësimit, për çka sipas tij, Fakulteti Juridik ka marrë masa adekuate duke miratuar rregullore dhe vendime të veçanta për parandalimin e kopjimit edhe ndëshkimin e studentëve që kopjojnë.
“Mund të themi se në krahasim me të kaluarën, kjo dukuri është reduktuar mjaft shumë edhe pse nuk mund të themi se është eliminuar. Megjithatë, të gjitha përpjekjet janë që të eliminohet në të ardhmen me formën e testit dhe të pyeturit (teori dhe raste praktike) ku studentët nuk do të arrijnë as t’i gjejnë përgjigjet nëse nuk kanë mësuar lëndën përkatëse”,thotë Gashi.
Ai tregon se ka raste kur studentët janë zënë duke kopjuar dhe ndaj tyre janë marrë masat e parapara përmes rregulloreve që i ka Fakulteti Juridik. Gashi thotë se përveç rregulloreve, Fakulteti Juridik ka nxjerrë edhe vendim të veçantë për ndalimin e kopjimeve (i shpallur në web-faqe të Fakultetit dhe në salla në kohen e provimeve).
“Ka raste, kur gjinden studentët me kopjime (edhe pse numër i reduktuar) dhe rastet e tilla referohen-dërgohen në Komisionin Disiplinorë në Fakultet ku edhe shqiptohen ndëshkimet sipas Rregullores për procedurat disiplinore dhe Kodin e Etikës. Si masa ndër të tjera parashihet, ndalimi i studimeve për 6 muaj, 1 vit, 2 vite dhe largimi nga Fakulteti”, theksoi dekani Gashi.
Preportr ka kërkuar nga dekani Gashi numrin e rasteve të studentëve që janë zënë duke kopjuar dhe që janë raportuar në Komisionin Disiplinor të Fakultetit Juridik në tri vitet e fundit, por edhe pas pritjes për disa javë, nuk ka marrë përgjigje për këtë pyetje.
Frika nga libri
Osman Ismaili profesor në Fakultetin Juridik thotë se gjatë përvojës së tij ka hasur në studentë që kanë përdorur forma të ndryshme të kopjimit. Ai thotë se viteve të fundit, përdorimi i teknologjisë e ka shtuar edhe më shumë kopjimin gjatë provimeve.
“E keqja është se kjo (kopjimi) ka marrë përmasa shumë të mëdha dhe thuajse është bërë një mjeshtëri në vete për të kopjuar”, thotë profesori Ismaili, duke shtuar se edhe profesorët janë në hallë nga kjo dukuri.
Ai thotë se një rol negativ në dukurinë e kopjimit po e luajnë edhe dyqanet e fotokopjeve, pasi që studentët zakonisht i marrin apo i fotografojnë testet dhe i dërgojnë në këto dyqane dhe aty studentët tjerë i marrin ato teste në formate të ndryshme dhe tentojnë të kopjojnë.
“Unë nuk besoj se profesorët nuk i ndërrojnë testet apo pyetjet. Unë së paku i kam afër 50 teste dhe të jeni të bindur se këto 50 teste janë të fotografuara dhe gjenden nëpër këto “copy-shop” që shesin. Studentët i marrin edhe pa i ra ndonjëri s’bëhet. Ka grupe të cilët totalisht nuk mësojnë asgjë. Prandaj ky është mëkati edhe më i madh i tyre, sepse nëse testi përsëritet edhe nuk kalohet do të thotë ata nuk punojnë fare”, u shpreh Ismaili.
Preportr ka biseduar edhe me disa studentë në lidhje me dukurinë e kopjimit dhe format e kopjimit. Ata tregojnë se pothuajse në çdo provim kanë parë kolegë të tyre duke kopjuar apo duke tentuar të kopjojnë.
Kaltrina Zhushi, studente në departamentin e sociologjisë në Fakultetin Filozofik, thotë se gjatë përvojës së saj si studente ka parë raste të shumta të kopjimit nga kolegët e saj. Ajo thotë të ketë parë se si studentët përdorin metoda të ndryshme për të kopjuar, që nga përdorimi i fletëve të vogla, telefonave mobil e deri të përdorimi i gjestikulacioneve përmes të cilave merren vesh se cila është përgjigje e saktë.
“Ka profesorë që kanë katër-pesë teste edhe mandej në rrotacion i ndërrojnë ato teste. Zakonisht dikush e vjedh testin, e dërgon në skriptore ajo mandej bëhet mjet i shpërndarjes për të gjithë. Pra secili ka qasje në ato teste dhe në parim kur të ndalësh me mëndu, për një student për me kalu afatin, mos mi dalë punë në afatin tjetër, është shumë më e lehtë t’i mësojë ato 20 pyetje dhe me marrë atë skriptë që saktë e dinë që kanë mi ra ato pyetje se sa t’i lexojë dy-tre libra”, thotë studentja Zhushi.
Ndërsa, Ardiana Rahimi, studente në Fakultetin e Arkitekturës thotë se edhe pse ky fakultet i ka veçantitë e veta të përgatitjes së provimit dhe testimit, edhe aty është e pranishme dukuria e kopjimit.
“Ne nuk kemi vetëm teste teorike, por i kemi edhe ato pjesët që janë praktike ku aty për aty duhet të bësh një zgjidhje logjike. Për këtë arsye kopjimi në këto detyra kur kemi vizatime nuk hynë fort në punë, sepse pa mësu as logjikën nuk mund ta kopjosh. Domethënë edhe nëse kopjon profesori mundet me ta konsideru si plagjiat kështu që bie nga provimi. Ndërsa te detyrat teorike, sigurisht që ka mundësi pak me kopju. Studentët shpikin mënyra të ndryshme, por sigurisht me fleta të vogla ose me telefon. Sigurisht që nuk i tregojmë profesorit kur shohim ndonjë rast se na vjen keq”, u shpreh ajo.
Mënyra e testimit dhe vlerësimit nxitë kopjimin
Pavarësisht që me anë të statutit të Universitetit të Prishtinës, profesorët janë të obliguar që vlerësimin e studentëve ta bëjnë në mënyrë graduale dhe me anë të disa metodave, shumica e tyre ende përdorin vetëm provimin final si mjet vlerësimi.
Kjo duket të jetë një prej faktorëve që qon drejt rritjes së kopjimit. Profesorët e kanë shumë të vështirë të vërejnë kur një student ka kopjuar ose jo nëse provimi final është hera e parë dhe e fundit që e sfidon atë student. Po të mos ishte provimi forma kryesore dhe e vetme e vlerësimit të angazhimit të studentit dhe po të sfidohej gjatë gjithë vitit akademik studenti, kopjimi në provimin final nuk do të mundësonte kalimin e lëndës.
Një problem tjetër del të jetë përsëritja e testeve nga ana e profesorëve nëpër afate të ndryshme të provimeve.
Drejtori i institutit “EdGuard” Rinor Qehaja thotë se nga anketimi që kanë kryer me studentët e UP-së, rezulton se një pjesë e madhe e profesorëve i testojnë studentët me të njëjtin test për disa afate radhazi dhe se një gjë e tillë vetëm sa e nxitë kopjimin.