Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reisi Sulejman ef. Rexhepi, të mërkuren e 13 shkurtit, në Shkup, priti zëvendës-Reisin e Bashkësisë Islame për Serbi, Myftiun Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe kryetar i BIPBM-së për Luginën e Preshevës.
Qëllimi i këtij takimi miqësor, midis dy miqve të vjetër, është njohja për së afërmi e zhvillimeve fetare e shoqërore në rajon, me theks të veçantë në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.
Sa i përket organizimi fetar të myslimanëve në Maqedoni dhe veprimtarisë së institucionit, të cilin e drejtoni, Reisi Sulejman ef. Rexhepi, kanë shënuar aktivitetet të dendura, të cilat natyrisht se kanë dhënë rezultatet të kënaqshme, duke mos pushuar që ato edhe në ta ardhmen çdo gjë në islam dhe rreth islamit të ngrihet lartë e më lartë.
“Maqedonia si shtet, kohëve të fundit, ka shënuar hapa progresiv, jo vetëm në sferën fetare, por edhe politike e diplomatike. Sot, kemi një Maqedoni me emër të ri, Maqedonia e Veriut, të pranuar në NAT-o e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Një shtet, që ka rregulluar me ligj zyrtarizmin e dygjuhësisë dhe ka tejkaluar barrierën mes kufijve të shteteve fqinje. Çështja e pakicave kombëtare në këtë shtet, nuk është aq problematik dhe i politizuar si në shtet tjera të Ballkanit, këto procese evropiane mundësojnë që qytetarët e kësaj republike mos të ndjehen të pasigurt dhe me frikë, që janë pakicë, minoritet, apo komunitet”, thotë Reisi Sulejman ef. Rexhepi, gjatë takimit të tij me Myftiun e Luginës Nexhmedin ef. Saqipi.
Gjatë këtij takimi Myftiu Saqipi, përgëzoi për këto të arritura mikun e tij Reisin Sulejman ef. Rexhepi, duke e falënderuar për bashkëpunimin e sinqertë që kanë këto dy institucione fetare në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.
“Sukseset që po shënohen në Maqedoni, kohëve të fundit, janë një model i mirë edhe për shtet fqinje e sidomos për Serbinë, e cila ka problemet me pakicat kombëtare e sidomos me atë shqiptare ne jug të vendit. Lugina e Preshevës, duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve në procesin final të bisedimeve të Brukselit, përndryshe çështja e kufijve dhe statusi politik i shqiptarëve në Serbi, do të mbeten peng të këtyre proceseve. Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, janë lodhur me zvarritjen e këtyre problemeve, të cilat duhet të zgjidhen sa më parë aq më mirë”, tha Myftiu Saqipi.
Në vazhdim të këtij takimi, të dy prijësit fetarë, ranë dakord që takimet e këtij niveli të vazhdojnë edhe në të ardhmen me të njëjtën dinamikë, për t’i kontribuar paqes, tolerancës fetare dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor, njofton jetapress