Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, kanë gjetur sot në lumin Lepenc trupin e pajetë të policit Armend Trena.
Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca) sot në orën 15 e 40, në kilometrin e gjashtë (në hyrje të Hanit të Elezit) nga vend i aksidentit në lumin Lepenc, kanë gjetur trupin e pajetë të policit Armend Trena, njofton Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton Telegrafi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajit, Agim Gashi ka thënë për Telegrafin se është gjetur një trup i pajetë në lumin Lepenc.
Ai ka konfirmuar se trupi i gjetur është i gjinisë mashkullore, por nuk ka mundur të thotë se është i policit Armend Trena.
“Nuk mund ta konfirmoj nëse është trupi i Policit. Kur të verifikohet ne do të tregojmë”, ka shtuar Gashi. /Telegrafi/
Policët Armend Trena dhe kolegu i tij Malsor Dashi u aksidentuan më 28 prill në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, kur vetura e tyre zyrtare ra në lumin Lepenct. Trupi i pajetë i Malsor Dashit ishte gjetur javën që shkoi pas kontrollimit të një ure pas pesë ditë kërkim, dhe ai është varrosur me ceremoni shtetërore.