Mbrëmë në Shkup Oda Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO) organizoi një takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me temë “Marrëdhëniet bilaterale ekonomike turko-maqedonase, zhvillimi dhe përmirësimi i klimës së investimeve dhe biznesit”.
Para takimit, kryeminitri Zaev duke folur për media bëri të ditur se në takimin me anëtarët e MATTO-s do të diskutohet për projekte dhe aktivitete konkrete për biznesmenët. Ai tha se këtu në Maqedoni ekziston një kapacitet i shkëlqyer i një numri të madh të kompanive turke që veprojnë në vend dhe të cilat japin paga për qytetarët e vendit.
Zaev foli për takimin me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, në të cilin, siç tha ai, kanë diskutuar rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
“Shqyrtuam detajet. Biseduam për shifrat dhe investimet dhe do t’ju them drejtpërdrejt se u angazhuam që këta shifra t’i përmirësojmë, edhe ju si komunitet i biznesit, por edhe unë si njeriu i parë i Maqedonisë, mik i presidentit Erdoğan, kryeministrit Yıldırım, por edhe i Turqisë. Dhe, kur presidenti i mikut më të madh të Maqedonisë jep detyrë, miqtë duhet ta përmbushin atë detyrë”, deklaroi Zaev