Ballina AKTUALE Enkel Rexhepi: “Mësohuni të Respektoni Gjuhën Shqipe!”

Enkel Rexhepi: “Mësohuni të Respektoni Gjuhën Shqipe!”

159
0
SHPËRNDAJE

Sot, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi iu drejtua Organizatës Turistike në Bujanoc me një kërkesë të rëndësishme: në afat sa më të shkurtër kohor të evitohet lëshimi i papërgjegjshëm në konstruksionin e ndriçuar metalik të vendosur në Sheshin e Bujanocit.

Në kërkesën e tij, kërkohej që mbishkrimi në gjuhën shqipe të shkruhej siç duhet – “MIRËSEVINI NË BUJANOC”. Ky lëshim është i papranueshëm dhe kërkohet që të korrigjohet sa më shpejt.

Kërkesa u bë duke u bazuar në Ligjin për Këshillat Nacionale të Pakicave Kombëtare, që i njeh Këshillit Kombëtar Shqiptar autorizimet për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe shkrimit shqip. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët në komunën e Bujanocit përbëjnë 62% të popullsisë, dhe si pasojë, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë komunë.

Në momentin që kërkesa iu dorëzua drejtorit të Agjencisë Turistike, z. Adem Salihi, ajo u refuzua me arsyetimin se mbishkrimi nuk ishte edhe në gjuhën serbe. Më pas, drejtorit iu kërkua që kërkesa të përkthehet në gjuhën serbe, duke theksuar se gjuha zyrtare në Serbi është serbishtja.

Përpara se të shprehet kështu, drejtori i Agjencisë Turistike duhet të ketë parasysh se në komunat multietnike, ku përfaqësuesit e pakicave janë mbi 15% të popullsisë, gjuha e pakicave është gjithashtu gjuhë zyrtare. Në rastin konkret, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Bujanoc dhe duhet të përdoret nga të gjitha institucionet dhe organizatat.

Prandaj, Enkel Rexhepi kërkon që Drejtori i Agjencisë Turistike të respektojë gjuhën shqipe dhe të sigurojë përdorimin e saj si gjuhë zyrtare në çdo dokument dhe mbishkrim, ashtu siç është e drejta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

#RespektoGjuhaShqipe #KKSH #Bujanoc