Enkel Rexhepi nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) është zgjedhur Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi. Zgjedhja e tij u realizua gjatë seancës së VII-të të këtij institucioni, mbajtur të premten.
Rexhepi do të zëvendësojë Nevzad Lutfiun, i cili ka kryer këtë detyrë për një periudhë dyvjeçare, siç parashikohet nga marrëveshja e koalicionit të vitit 2022. Ky rotacion është pjesë e një marrëveshjeje mes disa subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës, përfshirë PVD-në dhe LPD-në, dhe do të sigurojë përmbushjen e mandatit katërvjeçar të KKSH-së.
Enkel Rexhepi do të udhëhojë KKSH-në për dy vitet e ardhshme, ndërsa nënkryetare do të jetë Mimoza Klaiqi Kadriu nga LPD-ja. Ky emërim është një hap tjetër në forcimin e bashkëpunimit politik mes subjekteve shqiptare të Luginës së Preshevës.
Për zgjedhjen e Rexhepit, ka reaguar edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njëherësh kryetar i PVD-së. Ai ka uruar Rexhepin për marrjen e kësaj detyre dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimësisë në luftën politike për të drejtat e shqiptarëve, si dhe thellimin e raporteve me Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Enkeli po merr një detyrë të rëndësishme për të vazhduar luftën për të drejtat e shqiptarëve dhe për të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Rrethanat politike janë të vështira, por nuk ka tërheqje nga lufta për të drejtat”, ka shkruar Kamberi në rrjetet sociale.
Ai gjithashtu ka falënderuar Nevzad Lutfiun për angazhimin e tij në krye të KKSH-së, duke theksuar kontributin e tij për çështjet e komunitetit shqiptar në Serbi.
Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e institucioneve dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Serbi.