Ballina MËSHUM KURIOZITETE GRATË “DO T’I LËSHOJNË” NËSE NUK LINDIN DJEM….

GRATË “DO T’I LËSHOJNË” NËSE NUK LINDIN DJEM….

2157
0
SHPËRNDAJE

Nga: Arta Avdiu
Pozita e grave në shoqërinë tonë nuk është aspak e dëshirueshme. Gratë në shoqërinë kosovare janë të diskriminuara në të gjitha sferat. Të diskriminuara në familje, në shkollë, në punë, në politikë dhe kudo. Ndoshta, nuk konsiderohen as rangu i dytë i shoqërisë. Janë më të diskriminuara se edhe minoritetët etnike e fetare. Siç e dimë, në Kosovë minoritetet aq sa kanë përqindje të popullësisë, atë përqindje e kanë në përfaqësim në pozitat shtetërore, ndërkohë që gratë as për gjysmë sa janë në përqindje nuk kanë përfaqësim. Kjo është pak a shumë një pasqyrë se si trajtohet gruaja në shoqëri, se çfarë vlere ka. Dhe, ky diskriminim fillon që nga dita kur lindë një vajzë. Që në atë moment që fëmija vajzë, përballet me dëshirën e të tjerëve që ajo të ishte djalë. Ajo fillimisht privohet nga dashuria, pastaj edukimi e shkollimi dhe në fund edhe nga trashëgimia. Për një prind, një fëmijë vajzë nuk mjafton dhe nuk i përmbushë dëshirat prej një fëmiu. Ndoshta as dy, tri e katër vajza nuk e bëjnë një femijë të plotë. Dhe, duke mos e parë vajzën si fëmijë, prindërit çdoherë gjejnë rrugë të tjera, për të pasur një femijë të dëshiruar, pra një djalë.
Duke filluar nga detyrimi i grave për të lindur fëmijë deri sa të qëllojë fati të lindë një djalë, apo edhe duke u munduar që ta bëjnë fatin vet, duke shkuar tek mjekë popullor, duke “shkruar” hajmali dhe duke bërë bestytni të tjera. Jo pak raste ka kur e quajne vajzën “Shkurte” që sipas një bestytnie, ky emër do të shkurtojë vajzat që t’i jep fund radhës së vajzave dhe fëmiu në radhë do lindë djalë, apo duke e quajtur në emër te nënës se vet. Thuhet se emërimi i vajzës në emër të nënës, ashtu si me rastin e emrit “Shkurtë”, fëmijën tjetër do ta sjell djalë.
Të mendosh, në vendet tjera ripërtrirja e emrit të prindit bëhet në shenjë respekti e dashurie, ndërkohë tek ne në shenjë pakënaqësie dhe urrejtjeje për fëmijën vajzë, e duke u lutur që femiu i ardhshëm të jetë djalë. Se obesioni është kaq i madh për ndaljen e vajzave dhe lindjen e djalit, e tregon edhe fakti se secili prej nesh njeh se paku tri Shkurte. E kush tjetër mund t’i vë një fëmije një emër përbuzës, veçse shoqëria jonë?! Jo pak vajzave u janë vënë emra të tillë si: Shkurtesa, Ndalesa etj..po ta mendoni, se si ndihet nje fëmijë me këtë emër? Sa herë që dikush do ta thërrasë në emër, ajo do ta kujtojë, se ajo është një fëmijë i padëshiruar. Çfarë karkteri do ndërtohet nga kjo? Dhe, në rastet kur emri nuk bën mrekulli, dhe pas vajzave të sjell nje djalë, atëherë duhet kthyer sytë në drejtim të zgjidhjeve tjera të këtij problemi kaq të madh. Këto zgjidhje janë, duke u martuar përsëri, duke e marrë një grua të dytë, vetëm e vetëm për të bërë djem, për të pasur një trashëgimtar, dikë që do vazhdojë familjen. Shumë raste të tilla kemi, duke përfshirë këtu edhe politikanë, duke filluar nga asambleistë, kandidatë për kryetar të komunave, e deri deputetë.
Gjatë gjithë kohës do dëgjosh se si të bëhesh prind është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një njeriu, dhe kur e dëgjon këtë të duket mjaft e bukur, por disi kjo përfundon në momentin kur sheh se cfarë vlere ka një fëmijë vajzë për prindin shqiptar. Çdo vajzë, përveç asaj që ka tashmë një vëlla më të madh, është fëmijë i padëshiruar sepse vazhdimisht kërkohet një fëmijë djalë. Jo rrallë herë e kemi dëgjuar këtë “ tash pasi që i kam djemtë, do të doja ta kem edhe një vajzë”. Pra, meqë kami mrekullinë e quajtur djalë, nuk prishë shumë punë po të jetë edhe një vajzë. Pra, vajza ka vend vetëm atëherë kur gruaja tashmë ka sjell në jetë dy e më shumë djem. Sigurisht, edhe pozita e gruas në familjen e burrit varet nga fëmijët që ajo i lindë. Po pati vetëm vajza, ajo në një nga mëngjeset, mund ta gjejë veten së bashku me gruan e dytë të burrit, në një shtëpi. Në fakt, këto gra duhet të ndjehen me fat, sepse nuk kanë pasur fatin e zi të grave tjera që janë lënë në spital, me gjithë foshnjën, duke mos i marrë përsëri në shtëpi. Sepse vajza qofshin edhe shtatë nuk kane vlerën e fëmijës djalë. Nuk është në kot kjo fraza, që e dëgjojmë sa herë që ne jetë vjen një vajzë ,“rrit çikë e humb ditë”. Pra, kush është ai që do të donte të humbte qoftë edhe një ditë nga jeta e tij?
“Familja e tim shoqi u mërzit, sepse familja e tyre po mbetej pa trashëgimtar, dhe unë jam ndier inferiore dhe e tërhequr sepse kam lindur vetem vajza, dhe kështu edhe unë u pajtova që burri im duhet të marrë një grua tjetër”, më tha një grua që tashmë kishte hyrë me një ortake, siç thoshte ajo.
Duket se në disa raste, të rrisësh djem nuk është vetëm çështje që ka të bëjë me krenarinë, por edhe me një çështje nderi dhe dinjiteti familjar. Hulumtimet e fundit tregojnë, që dëshira për të pasur të paktën një pasardhës mashkull në familje është shkaku kryesor i aborteve të qëllimshme të foshnjave vajza. Në bisedë me nje gjineokolog nga QKUK, nga Prishtina, ai me tha se:
“Shumë shpesh vijnë e na kërkojnë këshilla edhe neve dhe ne u japim disa këshilla edhe pse u themi se nuk ka garanci për sukses.
Dhe pasi ne iu japim këto këshilla, i pyesim pse duan aq shumë që të kenë një femijë djalë, dhe ato na përgjigjen: E bëjmë për shkak të presionit të burrit dhe familjes së tij dhe të rrethit ku jetojmë, sepse edhe burri më ka thënë :“nëse nuk më bën me djalë, ktheu të prindërit”.
Pra, shumë gra edhe i kërcënojnë me braktisje, apo siç njihet tek ne “do t’i lëshojnë”, nëse ato nuk do të lindin femijë djem ose si rastet me të shpeshta, që te kenë djem do rimartohen. Në Kosovë, ndonëse nuk ka hulumtime dhe studime për këtë fenomen, pra për martesat e dyfishta, nuk është ndonjë rast periferik por standard i atyre që nuk kanë fëmijë djem me gratë e para. Ligji i Kosovës nuk e njeh të drejtën e poligamisë por është e pamundur të ndërmerren masa kundër ngase nuk bëjnë kurorëzim para ligjit por vetëm bashkëjetesë, apo veç para Zotit, sic tentojnë t’i arsyetojnë dëshirat e tyre, obsesionin e tyre, duke thënë qe nuk po bëkan ndonjë krim sepse feja, në kete rast ajo Islame ua lejon martesën e dyfishtë. Por, si duket po harrojnë apo dëshirojnë të harrojnë që feja islame gjithashtu e ndalon obesionin për të pasur femijë djem dhe vajzat që vajzat të konsiderohen si femijë të padëshiruar. Dhe se kjo do shfuqizonte arsyen e martesës së dytë për të pasur një djalë.
*Ky shkrim është pjesë e serisë së shkrimeve në kuadër të projektit “Politikat lokale nga perspektiva gjinore”, realizuar nga blogu Barazia dhe mbështetur nga fondacioni Friedrich Ebbert Sttiftung.