Ballina AKTUALE Kosova po e braktis Preshevën ashtu sikurse Shqipëria ka braktisur Kosovën

Kosova po e braktis Preshevën ashtu sikurse Shqipëria ka braktisur Kosovën

756
0
SHPËRNDAJE

Opinion nga Ardian Muhaj

Në një konferencë që u mbajt në korrik në Preshevë, u përqëndrova tek nevoja e renditjes së përgjegjësive politike mes Shqipërisë dhe Kosovës në rajon dhe tek shmangia e lënies së stafetës dhe gjuajtjes së ping-pongut mes Tiranës dhe Prishtinës në lidhje me shqiptarët e Preshevës. I qëndroj idesë se roli i Tiranës duhet të jetë mbështetës dhe jo protagonist në raport me Luginën e Preshevës. Rolin kryesor dhe njëkohësisht përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë Prishtina.

Këtë e bën të domosdoshme vetë pozita gjeografike e Luginës së Preshevës në gjeografinë politike të rajonit e cila nuk duhet anashkaluar. Ajo shtrihet në pjesën qendrore të Ballkanit, në kontaktin ndërmjet luginës së Moravës në veri dhe asaj të Vardarit në jug, të cilat formojnë korridorin më të rëndësishëm natyror për lidhjen e Evropës së Mesme me atë Jugore dhe Lindjen e Afërt. Nëpër këtë luginë kalojnë rrugë automobilistike dhe hekurudhore me rëndësi ndërkombëtare, pjesë e Korridorit Dhjetë, duke shërbyer si nyje e rëndësishme e komunikimit në të gjitha drejtimet e Ballkanit. Lugina e Preshevës është në një raport mjaft interesant në kontekstin e gjeografisë etnike dhe politike shqiptare duke qenë pjesa e vetme e zonave të banuara nga shqiptarë që nuk kufizohet direkt me Republikën e Shqipërisë.

Hipotezat e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, që në mënyrë pothuajse periodike nxjerr krye në opinionin publik, duke përfshirë në këtë proces të supozuar Luginën e Preshevës dhe Veriun e Kosovës, dalin pikërisht sepse kanë mundësi reale realizimi për shkak të gjeografisë dhe konfigurimit të hartës politike të rajonit. Megjithatë, duhet theksuar se një projekt këmbimi territoresh me Kosovën për shumë arsye do të rezultonte i dëmshëm për shqiptarët. Vetë shkëputja e kësaj pjese të trojeve shqiptare nga Kosova duket qartë që ka qenë një hap i mirëmenduar dhe i mirëprojektuar nga Beogradi për të mbajtur të pacënuar kontrollin e Autostradës E75 si arteria më e rëndësishme e Korridorit 10 që bën të mundur daljen në detin Egje, përmes portit të Selanikut. Mirëpo nga ana tjetër edhe aspirata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për autonomi duket e vështirë të realizohet për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit. Në këtë aspekt roli i Kosovës mund të ishte i një rëndësie madhore. Në vend të këtyre projekteve Prishtina mund të kishte më shumë sukses dhe do të ndihmonte edhe vetë konsolidimin e shtetit të Kosovës, në rast se do të arrinte të kushtëzonte çdo status për serbët në Veri të Kosovës, me kërkimin e një statusi të njëjtë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, brenda kufijve ekzistues politikë shtetërorë.

Për më tepër, Lugina e Preshevës ndan të njëjtën histori me pjesën tjetër të Kosovës. Pra, njësimi dhe vazhdimësia etnike dhe gjeografike përforcohet edhe më shumë përmes njësimit dhe vazhdimësisë së njëjtë të zhvillimit historik. Lugina e Preshevës ra nën sundimin serb njëkohësisht me territoret e tjera shqiptare të Kosovës e Maqedonisë, në vitin 1912, duke përjetuar të njëjtat procese kolonizuese dhe deshqiptarizuese që kaluan edhe shqiptarët e tjerë në Kosovë e Maqedoni. Kolonizimi dhe e ashtuquajtura reformë agrare, si edhe trysnia e asimilimit fetar, kulturor dhe etnik, i preku njëlloj.

Padyshim se përtej synimeve serbe për asimilimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës qëndrojnë projekte më të largëta për destabilizmin dhe pamundësimin e shtetësisë së Kosovës. Prishtina zyrtare nuk mundet kurrsesi t’ua kthejë shpinën shqiptarëve në Medvegjë, për faktin se tashmë janë pakicë në atë komunë dhe as ta shmangë apo transferojë përgjëgjësinë për Luginën e Preshevës drejt Tiranës zyrtare. Roli i Tiranës zyrtare ka vlerën dhe rëndësinë e vet, por rolin parësor mundet ta luajë vetëm Prishtina. Çdo shmangje përgjegjësie drejt Tiranës, në radhë do të parë do të ishte në dëm të vetë shtetit të Kosovës. Në një plan afatgjatë gjeostrategjik kjo do të shërbejë si një mbrojtje e përforcuar edhe për vete kufijët e shtetit të ri të Kosovës.

Prandaj, çështja e Luginës së Preshevës duhet sa më shpejt e qartë të synohet që të përfshihet në dialogun Serbi-Kosovë, krahas çështjeve të tjera që qëndrojnë në bazë të atij dialogu. Kosova do të duhej ta përdorte si një vlerë e shtuar për forcimin si shtet mbështetjen për Luginën e Preshevës. Nga kjo përfiton qoftë Kosova që do të vendosej në pozitën e negocimit ndërkombëtar me Serbinë, duke e vendosur nivelin e dialogut në lartësinë e reciprocitetit, qoftë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Medvegjës mbasi do të ndjenin rëndësinë konkrete të mbështetjes së një shteti me mundësi reale mbështetjeje. Pra, Beogradi negocion për pozitëne serbëve në Kosovë, kurse Prishtina do negocionte për pozitën e shqiptarëve në Serbi. Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, shteti i Kosovës mbron vetveten.

.