Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e U21 do të luajë sonte kundër Izraelit në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, duke nisur nga ora 19:00.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Evropian për këtë grupmoshë, njofton Klan Kosova.
“Pikërisht në këtë stadium Shpresat e Kosovës e mbajtën stërvitjen e fundit, ku shihej një harmoni e madhe brenda ekipit. Atmosfera në Kombëtare është jashtëzakonisht e mirë, derisa entuziazmi për një tjetër paraqitje dinjitoze është i madh”.
“Po ashtu gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të gjithë janë të gatshëm dhe në dispozicion për sfidën e nesërme. Seancën e sotme stërvitore nga afër e ndoqën edhe anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja dhe drejtori teknik, Michael Nees. Djelmoshat dhe stafi i Kombëtares U21 presin që në ndeshjen e nesërme do ta kenë përkrahjen e madhe të tifozëve, e cila do t’u jepte forcë shtesë për ta finalizuar me sukses punën e bërë gjatë këtyre ditëve”, shkruan në faqen zyrtare të FFK-së.