Ballina AKTUALE Kryetari i Preshevës, vendi po zbrazet dhe në rrezik të bëhet Çamëri...

Kryetari i Preshevës, vendi po zbrazet dhe në rrezik të bëhet Çamëri e dytë

863
0
SHPËRNDAJE

Çdo vit në shkollën “Ibrahim Kelmendi”, në Preshevë ka 100 nxënës më pak që vijojnë mësimin. Edhe pse nuk ka shifra të sakta se sa banorë gjatë vitit janë shpërngulur nga vendi, Presheva është në rrezik të bëhet Çamëri e dytë.

Banorë të kësaj komune fajësojnë qeverisjen, duke shtuar se varfëria e madhe, po i shtyn ata që ta lënë vendin.

Sevdie Halimi, këtë vit shkollor e nisi me mungesën e pesë nxënësve të saj. Këta nxënës kishin lënë në gjysmë, mësimet, kishin lënë edhe shokët e shoqet e bankës për të emigruar në shtetet e Evropës. E për këtë mësuesja Sevdije thotë se e ka shumë të vështirë.

Numri i nxënësve në shkollën “Ibrahim Kelmendi”, në Preshevë, sa vjen e ulet. Një gjë të tillë pohon edhe vet drejtoresha e kësaj shkolle, Besa Sahiti, ku thotë se vetëm gjatë këtij viti kishin 100 nxënës më pak.

Edhe pse sipas kryetarit të komunës së Preshevës nuk ka shifra të sakta se sa njerëz kanë migruar kohëve të fundit, ai thotë se është vërejtur se ky vend është duke u boshatisur.

Sipas tij, bazamenti ekonomik është mënyra më e mirë që të rinjtë mos ta lënë këtë vend.

Besim Saqipi, banor në komunën e Preshevës thotë se varfëria në vend është shkas për emigrimet.

Ndërsa, Nehat Zylfiju, 71 vjeçar thotë se vendi nuk duhet lënë, mirëpo banorët e këtij vendi po detyrohen për shkak të kushteve të rënda.

Të njëjtin mendim nuk e ndan Jetish Kurtishi.

Sipas tij, shteti nuk po i do banorët e Preshevës, dhe për atë ai sugjeron që të gjithë ta lëshojnë vendin.