Me një apel dramatik kancelarja, Angela Merkel iu drejtua kombit, jashtë fjalimeve të zakonshme për herë të parë si kancelare në 15 vjet. Ajo apeloi tek arsyeja e zemra e gjermanëve në krizën e Coronës.
Të dashura bashkëqytetare, të dashur bashkëqytetarë,
për momentin, virusi korona po e ndryshon në mënyrë dramatike jetën në vendin tonë. Ideja që kemi ne për normalitetin, për jetën publike, për jetën sociale – të gjitha këto po vihen në provë si kurrë më parë. Miliona prej jush nuk mund të shkojnë në punë, fëmijët tuaj nuk mund të shkojnë në shkolla ose kopshte, teatrot, kinematë dhe dyqanet janë të mbyllura, dhe, ndoshta çfarë është më e vështira: na mungojnë takimet, të cilat, në rrethana të tjera, janë aq të vetëkuptueshme. Natyrisht, në situata të tilla, secili prej nesh është plot pyetje dhe plot shqetësime për si do të vijojë.
Po ju drejtohem sot në këtë mënyrë të pazakontë, sepse dua t’ju them se çfarë na prin në këtë situatë mua, si Kancelare, dhe të gjithë kolegëve të mi në Qeverinë Federale. Është pjesë e një demokracie të hapur: që vendimet politike t’i bëjmë transparente dhe t’i shpjegojmë. Që t’i arsyetojmë sa më mirë veprimet tona dhe t’i komunikojmë, në mënyrë që të bëhen të kuptueshme.
Kam besim të fortë, se ne do ta kalojmë këtë detyrë, nëse të gjithë qytetaret dhe qytetarët e kuptojnë vërtet si detyrën e TYRE.
Prandaj, më lejoni të them se: Është serioze. Merreni seriozisht edhe ju. Që nga Bashkimi i Gjermanisë, jo, që nga Lufta e Dytë Botërore për vendin tonë nuk ka pasur një sfidë ku solidariteti ynë i përbashkët të jetë kaq i rëndësishëm.
Unë do të doja t’ju shpjegoja se ku jemi në epideminë aktuale, se çfarë po bëjnë qeveria federale dhe nivelet shtetërore për të mbrojtur të gjithë në bashkësinë tonë dhe për të kufizuar dëmet ekonomike, sociale dhe kulturore. Por unë gjithashtu do të doja t’ju transmetoja se përse nevojiteni edhe ju dhe se si mund të ndihmojë secili prej jush.
Sa i përket epidemisë – dhe gjithçka që ju tregoj për të rrjedh nga konsultimet e vazhdueshme të Qeverisë Federale me ekspertët e Institutit Robert Koch dhe shkencëtarët dhe virologët e tjerë: Në të gjithë botën po bëhen hulumtime me trysni të lartë, por ende nuk ka as terapi kuruese e as vaksinë kundër virusit corona.
Për sa kohë që është kështu, ka vetëm një gjë, dhe kjo është çka na udhëheq në të gjitha veprimtaritë tona: të ngadalësojmë përhapjen e virusit, ta zgjasim atë me muaj, për të fituar kohë. Kohë, që shkenca të zhvillojë një barnë dhe një vaksinë. Por, mbi të gjitha, edhe kohë, që ata që sëmuren, të mund të marrin kujdesin më të mirë të mundshëm.
Gjermania ka një sistem shëndetësor të shkëlqyer, ndoshta një nga më të mirët në botë. Kjo mund të na japë besim. Por edhe spitalet tona do të ishin tërësisht të mbingarkuara, nëse brenda një kohe shumë të shkurtër do të shtroheshin shumë pacientë që do të sëmureshin rëndë nga korona. Nuk janë thjesht shifra abstrakte statistikash, janë një baba ose gjysh, një nënë ose gjyshe, një partner ose partnere, ata janë njerëz. Dhe ne jemi një bashkësi që llogarit çdo jetë dhe çdo person.
Së pari, do të doja të përfitoja nga ky rast për t’iu drejtuar të gjithëve që punojnë si mjekë, në shërbimin e infermierisë ose në ndonjë funksion tjetër në spitalet tona dhe në përgjithësi në sektorin e kujdesit shëndetësor. Ju jeni në ballë të kësaj beteje për ne. Jeni të parët që shihni të sëmurët dhe ata që humbin jetën kur infektimi është i rëndë. Dhe çdo ditë prapë shkoni në punë dhe jeni atje për njerëzit. Ajo që ju bëni është e jashtëzakonshme, dhe për këtë ju falënderoj nga thellësia e zemrës.
Pra: Duhet ta ngadalësojmë virusin në rrugën e tij nëpër Gjermani. Dhe këtu duhet të bëjmë gjithsesi një gjë dhe kjo është ekzistenciale: ta reduktojmë jetën publike sa më shumë që të jetë e mundur. Natyrisht, me arsye dhe masë, sepse shteti do të vijojë të funksionojë, sigurisht, furnizimi do të jetë i siguruar, dhe ne duam të ruajmë sa më shumë aktivitete ekonomike. Por gjithçka që mund të rrezikojë njerëzit, gjithçka që mund të dëmtojë individin, por edhe komunitetin, tani duhet ta reduktojmë.
Ne duhet ta kufizojmë sa të mundemi rrezikun që njëri të infektojë tjetrin. Unë e di se sa dramatike janë kufizimet që tani: nuk ka më evente, nuk ka panaire tregtare, nuk ka koncerte dhe, për momentin, nuk ka as shkolla, as universitete, as kopshte, as lojëra në sheshet lojrash. E di sa e prekin këto mbyllje jetën tonë dhe imazhin tonë për demokracinë, për të cilat kanë rënë dakord Qeveria Federale dhe qeveritë e landeve. Janë kufizime që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë në Republikën Federale.
Më lejoni t’ju siguroj: për dikë si unë, për të cilin liria e lëvizjes dhe e udhëtimit ishte një e drejtë e fituar me luftë të mundimshme, kufizime të tilla mund të justifikohen vetëm me domosdoshmërinë absolute. Ato nuk duhet të merren kurrë me lehtësi dhe në një demokraci duhet të jenë vetëm të përkohshme – por në këtë moment ato janë të domosdoshme për të shpëtuar jetë.
Kjo është arsyeja se përse nga fillimi i kësaj jave kanë hyrë në fuqi kontrollet e rrepta kufitare dhe kufizimet e hyrjes për disa nga fqinjët tanë më të rëndësishëm. Për ekonominë, kompanitë e mëdha dhe bizneset e vogla, për ndërmarrjet e vogla, dyqanet, restorantet dhe ata që janë në profesion të lirë, që tani është shumë e vështirë. Javët e ardhshme do të jenë edhe më të vështira. Ju siguroj se Qeveria Federale po bën gjithçka që mundet për të zbutur ndikimin mbi ekonominë – dhe mbi të gjitha për të ruajtur vendet e punës. Ne mund dhe do të përdorim gjithçka që duhet për të ndihmuar sipërmarrësit dhe punëtorët tanë gjatë këtij testi të vështirë.
Dhe të gjithë mund të jenë të sigurt se furnizimi me mjetet e jetesës është i siguruar në çdo kohë, dhe nëse raftet zbrazen për një ditë, ato do të rimbushen. Çdokujt që shkon në supermarkete, do të doja t’i thosha: Ka dhe ka patur gjithmonë kuptim të mbahen stoqe. Por me masë. Blerjet masive thua se gjithçka do të mbarojë, janë të pakuptimta dhe krej josolidare.
Dhe më lejoni të shpreh edhe këtu falënderimet e mia për njerëzit që rrallë i falenderojmë. Ata që në këto ditë rrinë ulur te arka e një supermarketi ose mbushin rafte, po bëjnë një nga punët më të vështira që bëhen sot. Faleminderit që jeni aty për bashkëqytetarët tuaj dhe kujdeseni që çdo gjë të funksonojë siç duhet.
Tani të vijmë tek çfarë është më urgjente sot për mua: Të gjitha masat e marra nga qeveria nuk do të bënin efekt, nëse nuk do të përdorim mjetin më efektiv për të parandaluar që virusi të përhapet shumë shpejt: Ky është ne vetë. Sikurse gjithçkush, pa asnjë dallim, mund të preket nga virusi, ashtu edhe gjithkush tani duhet të ndihmojë. Së pari duke e marrë seriozisht se çfarë kërkohet sot. Të mos biem në panik, por edhe askush të mos mendojë, për asnjë moment, se ai ose ajo nuk ka ndikim. Të gjithë llogariten, na duhen përpjekjet e të gjithëve.
Kjo është ajo që na tregon një epidemi: Sesa të prekshëm jemi të gjithë, sa të varur nga sjellja e kujdeshme e të tjerëve, por edhe: sesi mund ta mbrojmë dhe forcojmë njëri-tjetrin duke vepruar së bashku. Kjo varet nga ne të gjithë. Ne nuk jemi të dënuar ta pranojmë në mënyrë pasive përhapjen e virusit. E kemi një ilaç: të ruajmë distancën nga njëri-tjetri, për hir të kujdesit. Këshillat e virologëve janë të qarta: të mos shtrëngohen më duart, të lahen duart mirë dhe shpesh, të paktën një metër e gjysmë larg njëri-tjetrit dhe mundësisht pa kontakte me të moshuarit, sepse ata janë veçanërisht në rrezik.
E di sa e vështirë është ajo që na kërkohet. Ne dëshirojmë të jemi pranë njëri-tjetrit, veçanërisht kur kemi nevojë. Ne njohim si kujdes afrinë fizike, ose prekjen. Por për momentin, për fat të keq, duhet bërë e kundërta. Dhe të gjithë duhet të kuptojnë me të vërtetë se për momentin vetëm distanca është shprehje e kujdesit.
Vizitat qëllimmira, udhëtimi që mund edhe të mos bëhej, të gjitha këto mund të shkaktojnë infektim, prandaj tani vërtet që nuk duhet të ndodhin më. Ka një arsye pse ekspertët thonë: Të mos takohen gjyshet e gjyshërit me mbesat e nipërit. Kush shmang takimet e panevojshme, ndihmon të gjithë ata që çdo ditë duhet të trajtojnë më shumë raste nëpër spitale. Kjo është mënyra se si ne shpëtojmë jetë. Kjo do të jetë e vështirë për shumëkë, dhe edhe kjo do të jetë me rëndësi: që askush të mos lihet vetëm, të kujdesemi për ata që kanë nevojë për inkurajim dhe besim. Do të gjejmë mënyra të tjera për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, si familje dhe si shoqëri.
Që tani ka shumë forma kreative për të sfiduar virusin dhe pasojat e tij mbi shoqërinë. Tashmë ka nipër e mbesa që po regjistrojnë një podcast për gjyshërit e tyre, në mënyrë që këta të mos jenë të vetmuar. Të gjithë duhet të gjejmë mënyra për të treguar dashuri dhe miqësi: me skype, me telefon, me email dhe mbase të shkruajmë letra përsëri. Posta do të punojë. Po dëgjojmë sot shembuj të mrekullueshëm të ndihmës mes fqinjve, për të moshuarit që nuk mund të bëjnë vetë pazar. Jam e sigurtë se ka edhe shumë më tepër për të bërë dhe ne do të tregojmë si komunitet, se nuk do ta lëmë vetëm njëri-tjetrin.
Apeloj te ju: respektoni rregullat që vlejnë për këto kohë. Si qeveri, ne gjithmonë do t’i rishikojmë çfarë mund të korrigjohen, por edhe: çfarë mund të bëhet edhe më shumë. Kjo është një situatë dinamike dhe ne do të jemi të gatshëm të mësojmë prej saj, në mënyrë që në çdo moment të mund të rimendojmë dhe të reagojmë me instrumente të tjera. Edhe këto do t’i shpjegojmë.
Prandaj ju lutem: Mos besoni thashethemet, por vetëm mesazhet zyrtare, të cilat gjithmonë i përkthejmë në shumë gjuhë.
Ne jemi një demokraci. Ne nuk jetojmë nga shtrëngimi, por nga ndarja e dijes dhe bashkëveprimi. Kjo është një detyrë historike dhe mund të realizohet vetëm së bashku. Jam absolutisht e sigurtë se do ta kapërcejmë këtë krizë. Por sa viktima do të kemi? Sa njerëz të dashur do të humbasim? Në një masë të madhe e kemi edhe vetë në dorë. Mund të veprojmë të gjithë, me vendosmëri, të reagojmë së bashku. Ne mund të pranojmë kufizimet aktuale dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.
Situata është serioze dhe është e hapur. Kjo do të thotë se: nuk varet vetëm, por edhe, nga disiplina me të cilën gjithëkush i ndjek dhe i zbaton rregullat. Edhe pse kurrë më parë nuk kemi përjetuar një gjë të tillë, ne duhet të tregojmë që veprojmë me zemër dhe mendje, dhe kështu shpëtojmë jetë. Pa përjashtim, gjithçka varet nga të gjithë dhe për këtë arsye nga të gjithë ne. Kujdesuni mirë për veten dhe të dashurit tuaj.
Ju falënderoj
Fjala e kancelares Angela Merkel drejtuar kombit më datën 18.03.2020 e transmetuar në televizionet gjermane