Ballina AKTUALE Myftiu Saqipi, Priti Klerikët Fetarë Të Forcave Ushtarake Ndërkombëtare

Myftiu Saqipi, Priti Klerikët Fetarë Të Forcave Ushtarake Ndërkombëtare

941
0
SHPËRNDAJE

Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, të martën e 19 qershorit, në Xhaminë e Re, të Tërnocit, në rezidencën e tij, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, pati kënaqësinë të jetë nikoqir i delegacionit nga radhët e klerikëve fetarë të Gardës Kombëtare nga Ohajo e Amerikës dhe kreu i shërbimit fetar të Forcave të Armatosura serbe.

Për zhvillimet e përgjithshme në Luginë të Preshevës, e me theks të veçantë në fushën e veprimtarive fetare, Myftiu Saqipi, nga afër e njohu delegacionin e prirë nga prifti kryesor ushtarak i Gardës Kombëtare nga Ohajo, Koloneli Andrew Aquino dhe nënkoloneli ortodoks  James Seizmor, si dhe kreun e shërbimit fetar të Forcave të Armatosura serbe, kolonel Sasha Milutinoviq, priftin ndihmëskolonel  Goran Sandiq dhe ndihmësin e kryeshefit Goran Jokanoviq.

“Misioni im paqësor 30 vjeçar, për të ngritur ura bashkëpunimi, për të kultivuar ndjenjën e tolerancës dhe fqinjësisë së mirë, është moto e aktiviteteve jo vetëm në sferën e shërbimit fetar, por edhe politik, kulturor dhe arsimor. Këtë kurs të veprimtarisë nuk e kam ndryshuar as në kohë konfliktesh e as në kohë paqeje. Kam thënë disa herë dhe prapë e përsëris se paqen e ndërtojnë njerëzit paqësorë, ata që e kanë për ideal paqen e jo ata që kanë luftuar dhe janë të përfshirë në afera kriminale. Konkretisht, ata që e kanë krijuar ferrin, nuk mund ta ndërtojnë parajsën”, u shpreh Myftiu Saqipi, gjatë takimit miqësor me krerët ushtarakë fetarë nga Ohajo dhe Beogradi.

Jetapress, mëson se Myftiu Saqipi, mysafirët ndërkombëtarë i njoftoi edhe për Tërnocin, njërin nga vendbanimet më të mëdha shqiptare në rajon, i cili përkundër propagandës së shtypit të verdh, ka reflektuar gjatë periudhave të ndryshme kohore, maturi politike, kulturë ndërfetare dhe fqinjësi të mirë.

Në fund të këtij takimi, të dy palët u ndanë të kënaqur me rrjedhat e bisedave, duke siguruar që këso takimesh të ketë edhe në të ardhmen, në favor të proceseve paqësore, pa të cilat nuk ka stabilitet politik dhe ekonomik, njofton jetapress/Lugina24.com.