Arrestimi i gjashtë gylenistëve nga policia e Kosovës dhe më pas deportimi i tyre në Turqi, do të mbesë vështirë i faktuar për atë çfarë saktësisht ndodhi, apo se kush dha urdhër për dëbimin e tyre. Ani pse, tash pothuajse të gjitha rrugët çojnë kah Shefi i Shtetit. Kjo u kuptua kur presidenti Erdogan falënderoi publikisht Thaçin për aksionin, ndonëse ish kryetari i PDK’së e mohoi atë vazhdimisht.
Pas një kidnapimi misterioz që iu bë gjashtë personave që jetonin dhe vepronin në Kosovë me pretendimin se ishin përkrahës të Fetullah Gylen dhe se të njëjtit paraqisnin rrezik për sigurinë, opozita kosovare po kërkon një komision hetimor parlamentar. Por jo vetëm kaq. Ata po e duan edhe shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi, si i dyshuar kryesor për dhënien e urdhrit ndaj arrestimit të gylenistëve.
Ndonëse, faktimi i gjithë këtyre dyshimeve se presidenti Hashim Thaçi qëndron mbrapa kësaj, është zor i realizueshëm.
Avokati dhe ish- këshilltari politik i Isa Mustafës, Besnik Berisha, thotë për Gazetën Express se kërkesat e opozitës, sado që janë me rëndësi për të vërtetën dhe ligjshmërinë në këtë proces, megjithatë nuk do prodhojnë ndonjë efekt.
“Sigurisht se hetimi mund te realizohet, por e vërteta në vazhdimësi do të kamuflohet, sepse ne këtë rast kishim shkelje flagrante të të drejtave te njeriut dhe çdo procedure të njohur me ligjet pozitive”, shprehet Berisha.
Siç sqaron ai, përfshirja e Thaçit sado që mund të jetë e vërtetë, asnjëherë nuk do pohohet nga ai, e as nga autoritetet qe ka urdhëruar ai për këtë dëbim.
“Hetimi parlamentar vetëm do të konstatoj atë çfarë të gjithë e kemi të njohur: Me shtetasit turq u eksperimentua, ata meritonin mbrojtjen nga ligji e kushtetuta, por ne ua mohuam këtë ne mënyrën më flagrante dhe për këtë asnjëherë nuk do ketë arsyetim, pavarësisht sa do ketë hetim”, ka deklarua avokati Besnik Berisha.
Ndërkaq, aktualisht, shtetasit turq që u dëbuan nga Kosova, janë në arrest. Kurse familjarët e të arrestuarve ende nuk kanë informata se cila është gjendja e tyre shëndetësore.
Erdogan javën e kaluar publikisht tregoi në detaje se si u zhvillua aksioni, derisa i çoi selam Haradinajt se kishte bërë gabim historik kur i shkarkoi ministrin Flamur Sefaj dhe shefin e AKI’së Driton Gashin. Madje edhe e kërcënoi se kryeministrit kosovare shpejt do t’i përfundojë karriera.
Ramush Haradinaj ishte treguar më i kujdesshëm kur vendosi ta replikojë Erdoganin. I kishte kërkuar të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës ashtu siç tha se liderët e Kosovës nuk përzihen në ato të Turqisë./D.K/GazetaExpress/