Fabrika për prodhimin e pijeve joalkoolike, Bivoda nga Bujanoci, do të marrë pjesë në Panairin ndërkombëtar të Bizneseve në Prishtinë, i cili do të organizohet nga 18 prilli deri më 21 prill.
Në një prononcim për Lugina-Lajm, zëvendësdrejtori i Bivodës, Dejan Gjilliq, ka theksuar se kompania Bivoda, në Prishtinë do të promovojë pijet në paketime të ndryshme.
“Në Prishtinë do të promovojmë pijet tona, me që, jemi të interesuar që të jemi prezent në tërë tregun kosovar, dhe jo vetëm në ato vendbanime ku jetojnë serbët” – ka deklaruar Gjilliq.
Për më tepër, zëvendësdrejtori Gjilliq, ka shpjeguar se, ky vit, është viti i dytë me rradhë, që Bivoda do të marrë pjesë në Panairin e bizneseve në Prishtinë.
“Jemi tejet të interesuar që të gjejmë partnerët tanë nëpër Kosovë, ashtu që të jemi prezent në tërë tregun kosovar” – përfundoi Gjilliq.
Bivoda pjesëmarrjen në Panairin ndërkombëtar të Bizneseve e ka siguruar nëpërmjet Odës së Bizneseve të Serbisë, e cila odë do të sjell 60 kompani nga Serbia.
Për më tepër, vet presidenti Vuçiq, ka ftuar të gjithë ndërmarrësit që të marrin pjesë në Panairin ndërkombëtar të Bizneseve në Prishtinë, me që Serbia siguron treg prej 500 milionë eurove.