Çdo ditë autobusët po marrin të rinj nga Lugina e Preshevës, të cilët në heshtje po ikin drejt një rruge pa kthim për një jetë më të mirë. Ata po lënë të dëshpëruar dhe të shqetësuar vendlindjen e tyre, pasi që nuk ka alternativë tjetër. Një rrugë të këtillë do ta merrë edhe Amir Hasani nga Bujanoci, që këtyre ditëve ka marrë kontratën tremuajshe për punë sezonale në një kompani hotelierie në Mynih të Gjermanisë. Ai thotë për portalin “Lugina24.com” se s’po largohet prej qejfi, por prej halli, kur s’ka punë, s’ka kushte jetese dhe nuk ka perspektivë, në këtë rajon të izoluar dhe të militarizuar.
“Përpos asaj se janë shkaqet ekonomike, rinia nga Lugina Preshevës largohet edhe për arsye se puna e tyre, qoftë ajo fizike apo intelektuale, nuk paguhet mirë, përkatësisht nuk vlerësohet aq sa duhet ne parim me jetën dhe cmimet në vend. Sa i përket procesit të arsimit, mungojnë kushtet sa i përket cilësisë, dhe nga ana tjetër edhe pse dikush përfundon studimet me sukses të lartë, për shkak të nepotizmit dhe influencës politike, nuk arrin të punësohet. Kjo i dekurajon të rinjtë për ta parë perspektivën në vend“, thotë për “Lugina24.com”, Amir Hasani. Sikur ai janë edhe plotë të rinj të tjerë, që po presin ta marrin këtë rrugë. Por ka edhe nga ata që duan të ngelin në vendlindje duke u munduar për të siguruar kafshatën e bukës, por edhe duke bërë ndonjë biznes sadopak profitabil. Të rinjtë thonë se Serbia qëllimisht po e izolon skajshmërisht këtë rajon, duke mos i hapur asnjë rrugë perspektive, pa fabrika, pa ndonjë rrugë për hapjen e ndonjë biznesi, derisa sipas tyre në komunat tjera si Vranjë dhe Leskovci, është një atmosferë tjetër, dhe se ka nisur hapja e disa fabrikave nga investitorë të huaj, që drejtohen aty me direktivat e shtetit. Pasivizimi dhe largimi i të rinjve si kapital dhe resurse njerëzore, paraqet kërcënim apo rrezik, jo vetëm për të ardhmen, por për mbarë shoqërinë, sepse bëhet fjalë për një shifër të lartë të të rinjve. Kuadro të profilizuara me fakultete të ndryshme po ashtu kanë probleme të punësohen për shkak se Serbia nuk i njeh diplomat e universiteteve shqiptare në rajon, sidomos ato nga Republika e Kosovës. Pesë vitet e fundit mijëra të rinj nga Lugina kanë mbaruar fakultetet në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vende tjera, por ata kanë problem dhe ballafaqohen me vështirësi të mëdha në njohjen e diplomave. Nga mungesa e nostrifikimit apo njohjes së diplomave ata kanë problem të punësohen në ndonjë punë shteti apo administratë komunale, edhe pse edhe në këtë fushë gjithçka bëhet nëse je i afërt me ndonjë përfaqësues partie në pushtet. Disa herë është bërë thirrje që liderët lokal të ndërmarrin masa për të ndaluar këtë situatë alarmante, por asgjë s’ka ndodhur dhe nuk është përmirësuar. Lugina po kalon një sfidë fshehurazi të qetë dhe të rrezikshme, ku çdo ditë rrugët po zbrazen nga njerëzit që dikur ishin krenarë që jetonin në këtë rajon me përplotë gjallëri dhe perspektivë. Janë shumë pyetje që deri tani nuk kanë përgjigje dhe kur nuk ka përgjigje s’ka rezultat dhe zgjidhje. Veton Rexhepi/ Lugina24.com