Ideja për ndarjen e Kosovës është temë delikate, e cila kërkon bisedime serioze dhe tash për tash nuk është e qartë nëse ndarja do të thotë këmbim territoresh apo do të bëhej mbi ndonjë bazë tjetër. Kështu, siç transmeton Gazeta Express, deklaroi anëtari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa gjatë një debati të djeshëm në Bujanoc.
Në debatin e organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Beogradi, e në kuadër të “dialogut të brendshëm” serb për Kosovën, Mustafa ka theksuar se shteti serb nuk i respekton të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, raporton blic.rs.
“Dialogu ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe shqiptarëve këtu nuk ka ndodhur dhe kjo e ka vështirësuar zgjidhjen e shumë problemeve në Luginën e Preshevës për shqiptarët”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se shqiptarët akuzohen për idenë e Shqipërisë së madhe me qëllim që t’u mohohet e drejta për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të plotësuar nevojat e përditshme.
Për dialogun e iniciuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Mustafa tha se duket sikur po bëhet për tërë Jugosllavinë dhe vërejti se shqiptarët e Luginës duhet të kyçen në të, por kjo më herët s’ka ndodhur.
Gani Rashiti nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë nga Presheva, lidhur me idenë për këmbim të territoreve, tha se shqiptarët kanë marrë qëndrim në referendum në vitin 1992.
Këmbimi i territoreve ndodh, tha Rashiti, ndërmjet subjekteve ndërkombëtarisht të pranuara, e kjo çon drejt njohjes.
Fatmir Jahiu nga Alternativa për Ndryshime tha se shqiptarët në Serbi kanë treguar gatishmëri për t’u integruar, ndërsa i akuzoi politikanët e viteve ’90, si dhe ata të tashmit, se “ua kanë marrë njerëzve mundësitë për jetë normale”.
Jahiu konsideron se shtetet monoetnike nuk janë model i mirë për jetë dhe se nuk ia vlen të bisedohet për atë se kush ka qenë këtu më herët a më vonë, ngase të gjithë ne, sipas tij, shumë gjatë kohë jemi këtu.
“Duhet të nisim procesin e normalizimit, i cili është shumë më i rëndësishëm se ideja për ndarjen”, tha Jahiu dhe shtoi se shqiptarët e Luginës kërkojnë t’i bashkohen Kosovës për shkak se ndjehen të diskriminuar.
Paneli i dytë i debatit të Iniciativës serbe të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut do të mbahet sot në Preshevë.