Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë sot se nëse Kosova nuk respekton marrëveshjet e arritura në Bruksel, atëherë dialogu do të kthehet në pikën zero.
Ai ka thënë se të mërkurën Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar një marrëveshje për fillimin e hartimit të Statutit për themelimin e Asociacionit, shkruan Indeksonline.
“Nëse një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes që kemi rënë dakord me udhëheqësit shqiptarë, në mënyrë të paskrupullt dhe pa u dënuar e refuzojnë ta implementojnë, Beogradi tani mund të marr në konsideratë të shfuqizojë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të cilat i kemi arritur në Bruksel”, ka thënë Daçiq.
Atij i është kundërpërgjigjur zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai në një prononcim për Indeksonline është zotuar se pala kosovare do t’i respektoj marrëveshjet që janë arritur deri më tani në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Marrëveshjet duhet të respektohen, unë besoj se Serbia tashmë është duke u vetëdijesuar se duhet t’u përmbahet marrëveshjeve të cilat kanë karakter ndërkombëtar. Kosova do t’i respektoj në plotëni obligimet që ka marrë”, ka theksuar Pacolli.
Sipas tij, është Serbia ajo e cila deri më tani ka krijuar obstruksione dhe se kjo gjë duhet të marr fund.