Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, po e sheh si të panevojshëm formimin e Ushtrisë së Kosovës…
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, po e sheh si të panevojshëm formimin e Ushtrisë së Kosovës, pasi që sipas tij punën e tyre mund ta kryejnë më së miri trupat e NATO-s në Kosov
Duke folur për “Tv Pink”, Vulin shtoi se përgjegjësit kryesor për situatën e sigurisë në Kosovë janë trupat e KFOR-it, të cilët sipas tij janë të përgatitur për një gjë të tillë.
“Janë trupat e KFOR-it të cilët janë të trajnuar mirë nga ushtritë më të fuqishme, ata janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë dhe të gjithë pajtohemi se situata e sigurisë në Kosovë, sidomos për serbët, nuk është e mirë, dhe tani nëse ikën KFOR-i, nëse ikën ushtria e trajnuar, disa veteranë të UÇK-së do të vijnë dhe të garantojnë siguri. Kush do të garantojë siguri dhe nga se po e mbrojnë ata Kosovën?’’, pyet Vulin, transmeton lajmi.net.
Sipas tij vendimet individuale të anëtarëve të NATO-s për të qëndruar ose jo në Kosovë janë shkelje e rëndë e Rezolutës 1244, në bazë të së cilës ai thotë se KFOR-i erdhi në Kosovë.
“Jo, mandati i KFOR-it në Kosovë është i bazuar në Rezolutën 1244, dhe i bazuar në vendimet përkatëse të OKB-së, dhe jo në vendimet individuale të shteteve anëtare. Ju mund ta shkelni Ligjin Ndërkombëtar, siç e keni shkelur në momentin kur e keni njohur pavarësinë e Kosovës dhe në rastin e bombardimeve kundër ish-Jugosllavisë, ju mund ta vendosni prap poshtë atë, mirëpo këto gjëra do të kthehen tek ata që i kanë nisur”, përfundoi Vulin.
Në anë tjetër kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj ka thënë sot se do të bëhet transformimi i FSK-së, me apo pa ndryshime kushtetuese.
Haradinaj ka thënë se vendimi për transformimin e FSK-së është proces politik. “Marrja e votës është një proces politik edhe jam thellë i bindur se nëse jo përmes bazës kushtetuese, atëherë përmes avancimit të bazës ligjore do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtrinë e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri ka thënë se “nuk mund të pritet pakufi” për të ndodhur ky proces.
“Transferimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrje të detyrave të KFOR-it. KFOR-i është forcë paqësore, është një mandat i NATO-s, ne e respektojmë”, tha ai.
Gjatë ditës, Haradinaj ka pritur në një takim ambasadorët e akredituar në Kosovë me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.