Ballina SHNETA Zhytja në ujë të ftohtë të hapur ofron lehtësim të menjëhershëm nga...

Zhytja në ujë të ftohtë të hapur ofron lehtësim të menjëhershëm nga dhimbja

241
0
SHPËRNDAJE

Një notim i shkurtër, i mprehtë në ujë të ftohtë mund ta ofrojë një alternativë për ilaçet e forta kundër dhimbjes dhe një fizioterapi për ta lehtësuar dhimbjen e vazhdueshme pas operacionit, sugjerojnë mjekët në revistën BMJ Case Reports.

Ata i arritën konkluzionet e tyre pas kryerjes së një procedure kirurgjikale (simpatektomia endoskopike torakale) në një person 28-vjeçar për ta frenuar skuqjen e tij të tepërt të fytyrës, transmeton koha.net.

Operacioni e përfshiu prerjen e nervave shkaktuese brenda gjoksit të tij. Procedura në vetvete ishte e suksesshme, por 10 javë më vonë, receta e zakonshme postoperative për ilaçe kundër dhimbjeve të forta dhe fizioterapia mezi vepronin ndaj dhimbjes së tij të fortë.

Personi në fjalë shpjegoi se ushtrimet dhe lëvizja vetëm sa e përkeqësojnë dhimbjen, duke e penguar atë që ta përfundojë rehabilitimin dhe rimëkëmbjen e tij. Për më tepër, dhimbja e vazhdueshme i shkaktoi shumë shqetësime dhe e shkatërroi cilësinë e jetesës së tij.

Para operacionit, i riu kishte qenë një triatlet i vendosur, duke notuar në mënyrë konkurruese në ujë të hapur. Ai mendoi se notimi në ujë të ftohtë, së paku, do ta siguronte një zbavitje të mirëpritur nga dhimbja përcëlluese.

Ai u kthye në të njëjtin vend bregdetar ku u zhvillua triatloni. E vetmja mënyrë për të hyrë në ujë atje është që të zhytesh nga një dalje shkëmbore, shpjegoi ai. Garuesit janë të detyruar të notojnë për rreth 60 sekonda para se të mund të ngjiten të sigurt në breg.

Për habinë e tij, i riu nuk ndiente dhimbje derisa ishte në ujë, por as nuk ndjeu dhimbje që prej asaj kohe, thonë autorët. Cilësia e tij preoperative e jetesës është rikthyer plotësisht dhe ai i ka rifilluar aktivitetet e tij të zakonshme sportive pa pasur nevojë për rekurs të mëtejshëm të ndonjë ilaçi për dhimbje.

Ky është vetëm një raport i rastit, dhe, autorët paralajmërojnë: “Për shkak të natyrës së raporteve të rasteve retrospektive, është e paqartë, pa prova të mëtejshme, nëse ekspozimi ndaj notimit të detyruar në ujë të ftohtë është veçanërisht i lidhur me lehtësimin e dhimbjes në kuptimin shkakor”.

Por duke pasur parasysh afatin kohor dhe mungesën e ndonjë shpjegimi alternativ përveç rastësisë së pastër, duket sikur zhytja në ujë të ftohtë mund të ketë dhënë lehtësim të menjëhershëm të dhimbjes – të paktën në këtë rast, thonë ata.

Se si mund të ketë ndodhur kjo nuk është e qartë, e pranojnë ata. Por janë disa shpjegime të mundshme biologjike.

Shoku prej zhytjes së papritur në ujë të ftohtë mund ta ketë nxitur ndonjë valë aktiviteti të sistemit nervor autonom: reagimi i trupit ndaj kësaj ka qenë i lidhur me një gjendje të ndërruar të vetëdijes. Kjo nga ana tjetër mund ta ketë ndryshuar perceptimin e dhimbjes, duke ofruar lehtësim të menjëhershëm.

Për sa i përket asaj se pse dhimbja e njeriut u zhduk plotësisht në një afat të gjatë, autorët sugjerojnë se lëvizshmëria e zvogëluar e tij mund të ketë ndihmuar në mbajtjen e dhimbjes; lehtësimi i dhimbjes që ai e ndjeu në ujë do t’i lejonte atij të lëvizte lirshëm, duke e ndërprerë kështu këtë cikël.

Dhimbja nervore mund të jetë shumë e vështirë për t’u trajtuar dhe shoqërohet me ndryshime strukturore në tru dhe një trashëgimi të problemeve psikologjike nëse nuk i përgjigjet trajtimit konvencional, theksojnë autorët.

Zhytja në ujë të ftohtë mund të ketë sukses aty ku ilaçet kundër dhimbjes dështojnë, sugjerojnë ata, por vetëm nëse mbështeten nga prova më substanciale.

“Nevojitet hulumtim i mëtejshëm [sqarues] për ta vlerësuar përsëritjen dhe realizueshmërinë e notimit të detyruar në ujë të ftohtë si një ndërhyrje potencialisht efektive, natyrale për t’i përshpejtuar rezultatet e shërimit nga komplikimet e shpeshta postoperative”, shkruajnë ata.