Liria e medias është kusht i panegociueshëm për në BE, deklaroi Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn.
Gazetaria, tha ai, po përballet me një konkurrencë nga lajmet e rreme.
Hahn foli edhe për njëanshmëri politike në raportimet e gazetarëve.
“Liria e medias është një vlerë thelbësore e BE-së dhe kusht i panegociueshëm për çdo vend që aplikon për t’u bërë shtet anëtar apo për çdo vend kandidat në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Europian. Raportimi i pavarur dhe i lirë është një faktor kyç për të ndërtuar dhe forcuar demokracinë dhe komunikimin e duhur të reformave. Ne po monitorojmë sfidat me të cilat përballen gazetarët në Ballkanin Perëndimor. Është vënë re keqpërdorim i informacionit dhe njëanshmëri politike. Raportimi kritik është shumë i rëndësishëm në një demokraci, të shmangen sulmet personale dhe nevojitet besueshmëri. Mediat duhet të kontribuojnë për të ndërtuar ura dhe jo për të thelluar ndasitë. Gazetaria profesionale po përballet me një konkurrencë nga ata që prodhojnë lajme të rreme”, tha Hahn, shkruan Top Channel.
Ndërsa kryeminstri Edi Rama i ka quajtur mediat institucione të pabesueshme për publikun. Rama foli në aktivitetin e organizuar për “Ditët e Medias së Ballkanit Perëndimor”.