📰 Presheva Nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit – Mundësi të Reja Për të Rinjtë e Luginës
Në Tiranë është zyrtarizuar sot një marrëveshje historike mes Komunës së Preshevës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), përmes nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi që synon zhvillimin e futbollit në Luginën e Preshevës dhe përfshirjen e të rinjve shqiptarë në sistemin kombëtar sportiv.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, pas nënshkrimit të marrëveshjes me presidentin e FSHF-së, Armando Duka, e ka vlerësuar këtë hap si “një ditë që shënon fillimin e një epoke të re për sportin në Luginë”.
“Ky bashkëpunim i filluar zyrtarisht sot do ta bëjë Federatën Shqiptare të Futbollit pjesë përbërëse të Luginës. E në një të ardhme, do ta bëjë Luginën pjesë të përhershme të FSHF-së, duke ua mundësuar të rinjve tanë që të mbrojnë ngjyrat e kombëtares sonë,” – tha Sinani.
Sipas saj, kjo marrëveshje realizon një ëndërr të kahmotshme të shumë të rinjve nga Lugina, të cilët për shkak të kufizimeve administrative nuk kanë pasur mundësi të përfaqësohen në nivele kombëtare të futbollit shqiptar.
Kryetarja kujtoi gjithashtu kontributin e të ndjerit Hasan Kadriu, menaxherit të parë shqiptar në FIFA, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një “shpërblim të vonuar, por të merituar për Preshevën dhe sportistët e saj”.
Në kuadër të këtij memorandumi, parashihen projekte konkrete për ndërtimin e fushave sportive, organizimin e kampeve stërvitore dhe përfshirjen e talenteve të rinj të Luginës në programet zhvillimore të FSHF-së.
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka shprehur mbështetjen e tij për këtë iniciativë, duke e cilësuar si një urë bashkimi dhe zhvillimi të përbashkët për sportin shqiptar në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë.
🤝 Ky memorandum pritet të hapë një kapitull të ri për sportin në Luginë, duke u ofruar të rinjve shqiptarë më shumë hapësira, kushte dhe mbështetje profesionale për t’i ndjekur ëndrrat e tyre sportive.












