Mustafa thotë se po presin rezultatin final për konfirmimin e deputetëve shqiptar në parlamentin serb
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, ka vlerësuar që bashkimi i partive shqiptare në një listë të vetme, në zgjedhjet e së dielës në Serbi, ka simbolizuar fuqi.
“Rezultatet e zgjedhjeve në Serbi ende nuk janë certifikuar, por sipas atyre preliminare tregojnë që bashkimi bën fuqi tek partitë politike shqiptare. Kuptohet që me ndihmën dhe me lehtësimin dhe bashkërendimit të ministrit për Evropën dhe për punë të jashtme, z.Gent Cakaj, 5 nga 6 partitë politike shqiptare kanë arritur në një platformë të përbashkët unike, për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nga 21 lista sa kanë garuar në Parlamentin republikan, kanë qenë edhe Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar e cila sipas këtyre rezultateve preliminare të siguruara ka 2 deputetë por do të presim deri në përfundimin e tyre e që është afër për të marr edhe deputetin e tretë”, ka thënë ai
Mustafa ka theksuar, që Tirana ka pasur një rol aktiv në këtë proces.
“Ajo që mund të theksoj është që në këto zgjedhje për herë të parë ka pasur një rol proaktiv të Tiranës që nuk ka qenë më parë dhe kjo natyrisht që ka ndikuar që të ketë këtë numër të votave”, ka thënë tutje ai.
Se është e rëndësishme që partitë politike shqiptare të jenë të bashkuara dhe të flasin njëzëri për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, e ka thënë edhe Ragmi Mustafa. Ai ka thënë që interesat e të gjithëve duhet të jenë të përbashkëta.