Edhe përkundër mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme “Sezai Surroi” nga Bujanoci, po tregojnë rezultate të mira nëpër garat e ndryshme regjionale, në konkurrencë edhe me nxënësit serbë.
Është nxënësja e vitit të parë, Lirika Asani, që së fundmi ka nxënë vendin e dytë në garat ragjionale për lëndën e Biologjisë në Vranjë. Pjesë e konkurrencës në ketë garë, ishin edhe nxënësit e tjerë, Argjent Azizi dhe Lorik Limani.
Në një prononcim për Lugina-Lajm, profesori i biologjisë, Hamdi Kamberi, ka theksuar se është me fat, që edukon nxënëse sikur Lirika.
“Është vajzë shumë e sjellshme, e disciplinuar dhe e formuar në mësimnxënie. Shkolla jonë është shumë me fat, që edukon nxënëse të kategorisë së Lirikës” – ka theksuar shkurtimisht profesor Kamberi.
Ne garën ragjionale të biologjisë, kanë marrë pjesë nxënës nga Vranja, Surdulica, Vlladiçin Hani dhe Bujanoci.
Siç ka mësuar Lugina-Lajm, nxënësit preshevar, përkundër që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen, ata nuk kanë marrë pjesë./Lugina-Lajm/